| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Hapet ekspozita e "Istanbul Photo Awards 2026" në Uashington
Pas Ankarasë dhe Romës, fotografitë çmim fituese nga edicioni i 12-të i "Istanbul Photo Awards" janë tashmë të ekspozuara në kryeqytetin e ShBA-së.
Hapet ekspozita e "Istanbul Photo Awards 2026" në Uashington
Hapet ekspozita e "Istanbul Photo Awards 2026" në Uashington / TRT Balkan dhe Agjencitë

Ekspozita "Istanbul Photo Awards 2026" e Anadolu-s u hap sot në Washington DC, duke prezantuar fotografitë fituese të konkursit në ndërtesën "Ndërtesa e Shtypit Ndërkombëtar" (National Press Building).

Pas Ankarasë dhe Romës, fotografitë çmim fituese nga edicioni i 12-të i "Istanbul Photo Awards" janë tashmë të ekspozuara në kryeqytetin e ShBA-së. Vitin e kaluar, një juri e përbërë nga emra të shquar të fotografisë ndërkombëtare përzgjodhi fituesit nga pothuajse 19 mijë fotografi të dërguara nga fotografë të 113 kombësive të ndryshme.

Fituesit u shpallën në muajin mars. Në secilën prej kategorive, fotografi të vetme dhe seri fotografish u ndanë çmime në fushat: Lajme, Sport, Natyrë dhe Mjedis, Portret dhe Jetë e Përditshme. Fotografi palestinez Haitham Imad fitoi çmimin "Fotografia e Vitit" me punimin e titulluar "Gaza, pa shpresë" ("Gaza, No Hope"), realizuar për agjencinë "European Pressphoto Agency" (EPA).

Fotografia e cila shfaq të voglën Sham, 2-vjeçe, në të cilën qëndron e rraskapitur në krahët e nënës së saj ndërsa merr trajtim mjekësor në spitalin "Nasser", në jug të Rripit të Gazës. Ekspozita përfshin më shumë se 90 fotografi të paraqitura si imazhe të vetme ose kolazhe të realizuara nga 25 fotografët që fituan çmime në vitin 2026.

Fotografitë trajtojnë tema të ndryshme si: uria vdekjeprurëse e shkaktuar nga sulmet dhe bllokada izraelite në Gaza, zjarret pyjore në Kaliforni, rehabilitimi i kafshëve dhe ritualet tradicionale sportive në Sudan si dhe marrëdhënia intime me inteligjencën artificiale në Japoni.

Gjithashtu, ato pasqyrojnë vështirësitë e fëmijëve afganë, rindërtimin e jetës në Sirinë e pasluftës, mbetjet hapësinore si një problem i ri mjedisor, portrete të trashëgimisë kulturore të Ukrainës si dhe jetën e përditshme në Kenia. Anadolu e nisi këtë konkurs ndërkombëtar të fotografisë së lajmeve në vitin 2015. Qëllimi i konkursit është të inkurajojë foto-gazetarët dhe të mbështesë një profesion që shpesh ushtrohet në kushte tejet të vështira.

Çdo vit, në konkurs marrin pjesë fotografë nga më shumë se 100 vende të botës. Përgjatë 12 viteve, rreth 120 mijë fotografë kanë dorëzuar afro 207 mijë fotografi, duke e shndërruar këtë aktivitet në një platformë që promovon Turkiyen përmes fuqisë së fotografisë së Anadolu. Turkcell është sponsori i komunikimit për konkursin këtë vit, ndërsa Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) mbështet aktivitetet jashtë vendit dhe Turkish Airlines (THY) ofron sponsorizimin e transportit ajror.

Ekspozita zhvillohet në galerinë "11:Eleven Gallery" në ndërtesën "National Press Building", në një distancë që mund të përshkohet në këmbë nga Shtëpia e Bardhë. Ajo do të jetë e hapur nga 19 nëntori deri më 5 dhjetor.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë