Rreth një e katërta e vendeve të punës në Belgjikë mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale, robotët dhe forma të tjera të automatizimit brenda katër viteve të ardhshme, sipas një studimi të "McKinsey"-t, të cituar sot nga mediat belge.
Studimi i raportuar nga gazetat belge "De Tijd" dhe "L'Echo" shqyrtoi mënyrat se si Belgjika mund të përshpejtojë rritjen ekonomike në të paktën dyfishin e nivelit aktual. "McKinsey" identifikoi pasurinë e familjeve, cilësinë e jetës, pozicionin qendror gjeografik dhe sektorët me konkurrueshmëri ndërkombëtare si pikat kryesore të forta ekonomike të vendit.
Sipas kompanisë këshilluese, këto përparësi mund ta ndihmojnë Belgjikën të arrijë dy objektiva kryesore: rritjen e produktivitetit të punonjësve aktualë dhe shtimin e pjesëmarrjes në tregun e punës të popullsisë në moshë pune. Sipas studimit, këto masa mund të ndihmojnë në dyfishimin, madje edhe trefishimin e rritjes ekonomike të Belgjikës deri në vitin 2040.
"McKinsey" identifikoi përvetësimin e teknologjive ekzistuese dhe modernizimin e tregut të punës deri në vitin 2030 si përparësi kryesore për arritjen e këtyre objektivave. Studimi merr si bazë që punonjësit, detyrat e të cilëve bëhen të panevojshme për shkak të automatizimit, do të vazhdojnë të jenë të punësuar duke kaluar në role të tjera ose në pozicione të reja brenda sektorëve të tyre.
Ai rekomandoi që qeveria belge të bëhet klienti i parë i aplikacioneve të reja të inteligjencës artificiale, me qëllim nxitjen e përdorimit të tyre dhe krijimin e një shembulli për bizneset. Kompania këshilluese propozoi bërjen më fleksibël të tregut të punës, duke u dhënë kompanive më shumë liri për të larguar punonjësit nga puna.
Ajo bëri thirrje edhe për forcimin e programeve të trajnimit, në mënyrë që punonjësit të fitojnë aftësitë e nevojshme për të kaluar në vende të reja pune ndërsa automatizimi transformon tregun e punës.





















