Hakerët kanë vjedhur më shumë se 62 milionë faqe dokumentesh të institucioneve qeveritare bullgare gjatë një operacioni pesëvjeçar të spiunazhit kibernetik, të cilin autoritetet e kanë ndërprerë, njoftoi të mërkurën Ministria e Inovacionit dhe Transformimit Digjital e vendit.
Sulmuesit kishin siguruar qasje të paautorizuar në rrjetet qeveritare që nga viti 2021, duke mbledhur informacione të ndjeshme lidhur me veprimtarinë shtetërore, sipas ministrisë.
Ministri i Inovacionit dhe Transformimit Digjital, Ivan Vasilev, tha se hakerët kishin shkarkuar të paktën 130 gigabajtë dokumente, që përbëjnë më shumë se 62 milionë faqe.
Autoritetet thanë se hetimet deri më tani nuk kanë zbuluar prova se të dhënat personale të qytetarëve janë komprometuar.
Ministria tha se operacioni u zbulua në gusht, pasi një sistem i ri kombëtar për monitorimin e sigurisë kibernetike identifikoi aktivitete të dyshimta në rrjetet qeveritare.
Pas zbulimit, autoritetet krijuan një grup të përbashkët pune, ku përfshinë agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës, ministritë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, policinë dhe ekspertët e sigurisë kibernetike, me qëllim kufizimin e sulmit.
Më pas, sistemet e prekura u izoluan dhe qasja e sulmuesve në infrastrukturën qeveritare u bllokua, tha ministria.
Sipas ministrisë, autoritetet kanë ndërprerë të gjitha lidhjet e paautorizuara të identifikuara deri më tani, duke parandaluar qasjen e mëtejshme përmes sistemeve të komprometuara.
Infrastruktura e prekur do të mbetet nën monitorim të shtuar për 90 ditë, për të zbuluar çdo përpjekje të sulmuesve për të rifituar qasjen, shtoi ministria.























