Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se qëndrimi i tij ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale, nuk ka ndryshuar që nga pranvera e vitit 2015, duke e cilësuar atë si një gjykatë të pazakonshme, monoetnike dhe me mungesë transparence.
Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës tha se gjykata mbetet një institucion i pazakonshëm në aspektin e funksionimit dhe karakterit të saj.
“Konsideroj që kjo Gjykatë Speciale, këto Dhoma të Specializuara, janë një gjykatë e pazakonshme. Aq e pazakonshme sa që edhe termi 'sui generis' duket i ngushtë. Herë sillen si gjykatë vendore herë si tribunal ndërkombëtar. Por, gjithsesi janë një gjykatë monoetnike me mungesë transparence”, theksoi Kurti.
Ai tha se nga pakënaqësia e aktgjykimit të 16 shtatorit erdhi edhe Ligji për Dhomat e Specializuara, i cili u bë me vullnet të mirë të deputetëve, mirëpo vullneti i mirë nuk mjafton, siç u shpreh ai, por duhet të bëhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet dhe ka efekt në praktikë.
“Inicuesit e Ligjit për Dhomat e Specializuara unë besoj se kanë pasur qëllimin e mirë. Ky qëllim ka ardhur edhe nga indinjata e thellë dhe zhgënjimi i madh me aktgjykimin e 16 shtatorit i cili kishte shumë pasaktësi faktike dhe historike dhe rezultoi me një dënim shumë të lartë prej 81 vjet burg për katër ish-krerët e UÇK-së”, tha Kurti.
Kryeministri kosovar tha se korrigjimi i aktgjykimit të 16 shtatorit duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në shkallën e dytë, në Apel, dhe kjo siç tha ai, do të jetë dikur në vitin 2027. Kuvendi i Kosovës ka pasur në rend dite gjatë ditës së sotme të mbajë seancë për rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por ajo u shty në një afat tjetër.
Paraprakisht, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mbajtën takim ku u diskutua ky ligj, i cili nuk u dekretua nga presidentja e vendit Justina Shiroka-Pula, por iu rikthye Kuvendit të Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së kryetares PDK-së, Vlora Çitaku, tha se në diskutimet me kryeministrin Albin Kurti nuk ka dallime në përmbajtjen rreth Ligjit për Gjykatën Speciale që po diskutohet, por vetëm në aspektin procedural.
Gjykata Speciale më 16 shtator dënoi me 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.























