| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Britania kërkon projekte të reja të mbrojtjes me Türkiyen përtej marrëveshjes për Eurofighter
Ministri britanik për Gatishmërinë dhe Industrinë e Mbrojtjes thotë se të dy vendet mund të zhvillojnë dhe prodhojnë së bashku teknologji të avancuara, si dhe të forcojnë lidhjet mes furnizuesve të industrisë së mbrojtjes.
Britania kërkon projekte të reja të mbrojtjes me Türkiyen përtej marrëveshjes për Eurofighter
Britania kërkon projekte të reja të mbrojtjes me Türkiyen përtej marrëveshjes për Eurofighter/ AA / َAA

Ministri britanik për Gatishmërinë dhe Industrinë e Mbrojtjes, Luke Pollard, tha për Agjencinë Anadolu se vendi i tij dëshiron ta shfrytëzojë marrëveshjen për avionët Eurofighter Typhoon me Türkiyen si pikënisje për të shqyrtuar se cilat teknologji të mbrojtjes mund të zhvillojnë dhe prodhojnë së bashku të dy vendet.

“Eurofighter është një moment historik në marrëdhëniet tona të mbrojtjes, por ambicia jonë shkon shumë përtej një programi të vetëm. Ne e shohim Türkiyen si një partnere të rëndësishme afatgjatë në fushën e mbrojtjes dhe industrisë”, tha Pollard në përgjigjet me shkrim për Anadolu gjatë një vizite në Ankara.

Pollard tha se vizita e tij synonte avancimin e Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes mes Britanisë dhe Türkiyes, të nënshkruar nga liderët e të dy vendeve në korrik, gjatë samitit të NATO-s në Ankara.

Një nga prioritetet e vizitës ishte puna e Këshillit të Industrisë së Mbrojtjes Türkiye–Britani, i krijuar për të identifikuar mundësitë e bashkëpunimit dhe për të trajtuar pengesat ndaj projekteve të përbashkëta.

“Marrëveshja për Eurofighter Typhoon dëshmon se çfarë mund të arrijmë kur qeveritë, forcat e armatosura dhe industritë tona të mbrojtjes punojnë së bashku”, tha ai.

I pyetur për mundësinë e bashkëpunimit mes programit turk të avionit luftarak KAAN dhe Programit Global të Avionëve Luftarakë (GCAP), Pollard tha se secili prej tyre ka kërkesat dhe planet e veta të zhvillimit.

“Çdo vendim lidhur me GCAP-in do të merret në mënyrë trepalëshe mes Britanisë, Italisë dhe Japonisë”, tha ai.

- Roli i Türkiyes në sigurinë evropiane

Pollard tha se fuqia ushtarake, kapacitetet industriale dhe shtrirja strategjike e Türkiyes do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, ndërsa aleatët evropianë marrin përsipër më shumë përgjegjësi për mbrojtjen kolektive.

“Türkiye është një aleate e pazëvendësueshme e NATO-s dhe do të jetë një aktore kyçe në arkitekturën e ardhshme të sigurisë së Evropës. Pak vende kanë një pozicion kaq të rëndësishëm strategjik”, tha ai.

Türkiye ndodhet në kryqëzimin mes Evropës, Detit të Zi, Lindjes së Mesme, Mesdheut dhe Kaukazit, tha Pollard. Ajo ka gjithashtu një nga forcat e armatosura më të mëdha të NATO-s dhe një industri të mbrojtjes që po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar, shtoi ai.

Pollard tha se Britania dëshiron të bashkëpunojë ngushtë me Türkiyen për ta forcuar NATO-n, për të fuqizuar aftësinë parandaluese të aleancës dhe për të rritur kontributin e Evropës në sigurinë euroatlantike.