Një përfaqësues i lartë i politikave në Koalicionin 'We Mean Business" ka bërë të ditur se komuniteti global i biznesit ka mbështetur elektrifikimin si një nxitës të rëndësishëm të rritjes ekonomike, duke mirëpritur mbështetjen e BE-së për zotimin e Türkiyes "35x35".
Andrew Prag foli për Anadolu në margjinat e Konferencës së 31-të të Palëve (COP31) të OKB-së për ndryshimet klimatike, që po mbahet në Antalya të Türkiyes. Nisma u lançua nën presidencën e Türkiyes në COP31, me synimin për ta rritur pjesëmarrjen e energjisë elektrike në konsumin përfundimtar global të energjisë në 35 për qind deri në vitin 2035.
Prag tha se kompanitë private e mbështesin fuqishëm këtë objektiv si një mundësi tregtare, duke u bërë thirrje qeverive që t'i përforcojnë zotimet globale me politika të qarta për të tërhequr më shumë investime. Ai theksoi se përpjekjet për elektrifikim në vendet në zhvillim kanë dy prioritete kryesore, përkatësisht zgjerimin e qasjes në shërbimet moderne të energjisë elektrike dhe elektrifikimin e sektorëve të përdorimit përfundimtar në industri, transport dhe ndërtesa.
Ai paralajmëroi se mungesa e koherencës së politikave vazhdon të jetë pengesë për flukset e kapitalit në shumë tregje, pavarësisht se teknologjitë e energjisë së pastër po bëhen gjithnjë e më konkurruese, pasi bizneset kërkojnë objektiva kombëtarë të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm.
Prag tha se diferenca e çmimeve ndërmjet energjisë elektrike dhe gazit natyror mund t'i nxisë kompanitë të kalojnë nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile ndërsa qeveritë mund të punojnë për përshpejtimin e procedurave të gjata të marrjes së lejeve për integrimin e projekteve të energjisë së pastër në rrjet dhe lidhjen e impianteve industriale të elektrifikuara.
Ai u bëri thirrje qeverive që të rrisin shpenzimet për infrastrukturën dhe të koordinojnë planifikimin për zgjerimin e rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, në mbështetje të tranzicionit.
Më tej Prag theksoi se suksesi i Samitit COP31 duhet t'i atribuohet gjithashtu paketave të zbatimit dhe mbështetjes së gjerë për objektivin prej 35 për qind, ndërsa shprehu mbështetjen për agjendën e Veprimit Global për Klimën, e cila u mundëson kompanive dhe aktorëve joshtetërorë të dëshmojnë përparimin konkret të investimeve dhe të komunikojnë nevojat e tyre në aspektin e politikave.
Ai shtoi se Koalicioni "We Mean Business" pret me interes COP32 në Etiopi vitin e ardhshëm dhe ciklin pesëvjeçar të Bilancit Global të Marrëveshjes së Parisit, duke sjellë perspektivat e komunitetit të biznesit në këtë proces për të ndihmuar në hartimin e politikave të ardhshme klimatike.























